Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 90-të të ZPS-së në rastin Thaçi e të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmia e dëshmitarit të 90-të, W4422, po dëgjohet në seancë të mbyllur

Hashim Thaçi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën ka filluar dëshminë dëshmitari i 90-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W4422 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar tërësisht në seancë të mbyllur dhe nuk u lexua ndonjë përmbledhje siç ndodh zakonisht për dëshmitarët e Prokurorisë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ky dëshmitar është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.

Përpara se të vazhdohet me dëshminë e këtij dëshmitari, gjyqtari Smith kërkoi që të diskutohet për kërkesën e ZPS-së që dëshmitari me kodin W04590 të dëshmojë përmes video-lidhjes.

Në emër të mbrojtjes së të gjithë të akuzuarve, avokatja e Veselit, Ann Rowan, tha se nuk kanë kundërshtime që të vazhdohet me video-lidhje me këtë dëshmitar, por sipas saj, arsyet e paraqitura në kërkesë nuk përmbushin kriteret përkatëse të Rregullores.

Pasi nuk pati kundërshtime, gjyqtari tha se edhe dëshmia e dëshmitarit W04590 do të dëgjohet përmes video-lidhjes.

Veç tjerash, kryetari i trupit gjykues tha se të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi kanë hequr nga e drejta e tyre për të qenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit dhe se ata po e përcjellin seancën përmes video-lidhjes. Ndërsa, Rexhep Selimi ishte prezent fizikisht në sallë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika