Anëtarët e bllokut pritet të vendosin nëse do t’i japin “statusin e kandidatit” Kievit më vonë këtë javë, ndërsa Kievi zyrtar ka paralajmëruar për përshkallëzimin e luftës nga ana e Rusisë gjatë kësaj kohe.
Sipas Zelensky-t, vendimi mund të bëjë që Rusia të shtojë sulmet e saj.
Gjatë fjalimit të tij nga Kievi, udhëheqësi ukrainas tha se ai dhe këshilltarët e tij presin “aktivitet më të madh armiqësor” nga Moska, por u tha qytetarëve se forcat e tij “po përgatiten” dhe janë gati për çdo sulm të rinovuar, njofton BBC.
Kievi aplikoi për t’u anëtarësuar në BE vetëm katër ditë pasi Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt.
Të premten, udhëheqësi rus Vladimir Putin tha se ai nuk ka “asgjë kundër” ambicieve të Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën, por zëdhënësi i tij Dmitry Peskov paralajmëroi se çdo lëvizje drejt pranimit do të kërkonte “vëmendje të shtuar” nga ana e Moskës.
Dhe Zelensky paralajmëroi anëtarët e tjerë të BE-së se edhe ata mund të presin hakmarrje nga Moska në ditët në vijim.
“Natyrisht, ne duhet të presim një aktivitet më të madh armiqësor nga Rusia,” tha Zelensky. Dhe jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve të tjera evropiane”.
Paralajmërimi i liderit ukrainas vjen në mes të një sulmi të vazhdueshëm rus në lindje të Ukrainës. Forcat e Moskës në rajon janë përpjekur të marrin kontrollin e plotë të Donbasit, pjesët e të cilit tashmë mbaheshin nga separatistët prorusë përpara shpërthimit të konfliktit.