Mjekësia në Mitrovicë përballet me sfida dhe vështirësi të ndryshme, një ndër to është edhe mungesa e stafit mjekësor. E kjo vërehet më shumë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.
Fahri Shabani, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë në një intervistë për Portali D ka thënë se Qendra e Mjekësisë Familjare në Tunelin e Parë funksionon në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor të Mitrovicës në objektin që është pronë e kompanisë “TREPÇA SH.A”.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Tunelin e Parë ofrohen shërbimet shëndetësore të mjekësisë familajare, stomatologjisë dhe infermierisë. Shabani ka thënë se ndërtesa ku funksionon kjo QMF është e vjetër dhe nuk ka kushte të mira për punë, ndërsa sfidë kryesore është mungesa e mjekëve.
Fahri Shabani ka thënë: “Në përgjithësi në Kujdesin Parësor Shëndetësor të Mitrovicës kemi mungesë të mjekëve dhe kjo manifestohet edhe në këtë QMF. Situata është rënduar me mosvazhdimin e kontratave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, duke përfshirë kontratat e profesionistëve shëndetësorë që kanë qenë të angazhuar prej dy vjetësh si staf mbështetës”.
Shabani ka shtuar se Drejtoria Komunale e Shëndetësisë ka shpallur konkurs për 44 pozita të stafit mjekësor.
“Procedurat e rekretumit janë duke u zhvilluar dhe pas rekretumit të këtyre profesionistëve shëndetësorë problemi i mungesës së stafit mjekësor do të zgjidhet”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë.
Sa i përket furnizimit me barna, Shabani ka thënë se furnizimi është i mirë, sepse përveç barnave me të cilat Ministria e Shëndetësisë i fuqizon QKMF-të (që nuk janë të mjaftueshme), QKMF-të dhe njësitë e saj (edhe QMF në Tunelin e Parë) fuqizohen mjaftueshëm nga buxheti komunal për shëndetësi.
Fahri Shabani ka thënë se furnizimi me barna nëpër QKMF-të, të gjitha QMF-të dhe AMF-të e Mitrovicës është në nivelin më të mirë që ka qenë ndonjëherë më parë.
“Kushtet e punës në QMF-në në Tunelin e Parë nuk janë të mira. Drejtoria për Shëndetësi dhe Komuna e Mitrovicës janë të vetëdijshme për gjendjen jo të mirë teknike të ndërtesës ku funksionon kjo QMF dhe planifikojnë që në të ardhmen e afërt të ndërtohet një ndërtesë e re e QMF-së në Tunelin e Parë”, ka thënë Shabani.
I pari i mjekësisë në Mitrovicë ka shtuar se, fatkeqësisht infrastruktura shëndetësore në shumë lokacione të Mitrovicës është në gjendje edhe më të keqe sesa e QMF-së në Tunelin e Parë.
“Prandaj këtë vit (sipas prioriteteve dhe nevojave të evidentuara dhe të analizuara mirë) me buxhetin komunal jemi në proces të ndërtimit të ndërtesave të reja të QMF-ve në Kushtovë dhe Stan Tërg dhe renovimin total në Shipol dhe AMF-ve në Vllahi, Zabërgj dhe Rashan. Vlen të theksohet se objektet shëndetësore në Kushtovë, Vllahi, Zabërgj dhe Rashan janë tërësisht jofunksionale. Në Stan Tërg objekti aktual është i dëmtuar shumë dhe i rrezikuar nga shembja e dheut”, ka thënë Shabani.
Ai ka shtuar se, nëse bisedimet me donatorë fuqizohen me sukses, ndërtimi i ndërtesës së re të QMF-së në Tunel të Parë fillon këtë vit, alternative tjetër mbetet ndërtimi i QMF-së përmes buxhetit komunal në vitet e ardhshme. Përveç investimit në rregullimin e sistemit të ngrohjes, nuk ka pasur ndonjë investim të rëndësishëm në QMF-në e Tunelit të Parë.
Nexhmije Peci, infermiere në QMF-në e Tunelit të Parë për Portali D ka thënë se kanë mungesë të stafit esencial.
”Ne kemi mungesë të mjekëve dhe kjo ndikon te pacientët. Mjekët tashmë janë në pushim, Drejtoria e Shëndetësisë ka premtuar se do të sjellë një motër kryesore dhe një motër ndihmëse në QMF-në e Tunelit të Parë”.
Përveç mungesës së stafit mjekësor, Peci ka thënë se gjithçka funksionon mirë.
“Në këtë QMF, ne ofrojmë shërbime të triazhimit, fashimit, intervencës, furnizimit me barna për pacientët e të tjerë. Mosha e pacientëve që vijnë për të marrë shërbime mjekësore përfshin moshën e përgjithshme, duke filluar nga mosha 7-vjeçare deri te mosha e pleqërisë”, ka thënë tutje Nexhmie Peci.
Peci ka treguar se gjatë të hënës së 20 qershorit, përveç QMF-së në Tunelin e Parë ka pasur mungesë të mjekëve dhe në QMF-të e tjera si në: Shupkovc, Bajri 1, Gushavc, Fidanishte e të tjera.
Një paciente ka treguar për PortaliD se shërbimet mjekësore jepen me shumë kujdes dhe respekt nga ana e mjekëve dhe infermierëve.
“Por, problem kryesor është mungesa e mjekëve, që prej dy javësh nuk ka mjek kryesor këtu dhe ne duhet të shkojmë në QKMF-në “Nexhat Çuni” në Mitrovicë”, ka përfunduar pacientja.