Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me Qeverinë Kurti për herë të parë depozitat e ekonomive familjare në valutën euro e tejkalojnë shifrën prej 4 miliardë euro. Ai i është referuar raportit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës për muajin gusht.
Murati përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se sipas grafikonit “shihet se ritmi i rritjes përshpejtohet në mënyrë të theksuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.
“Për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, që krahasuar me 4 vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara është për 3-fishë më e lartë. Ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët. E kjo është gjë e mirë sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit. Ngjashëm edhe buxheti i shtetit, përderisa në të kaluarën shërbente për pasurimin e disave, tani orientohet për shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për studentë e pensionistë, barna esenciale, mbështetje për bujqit, por edhe siguri e mbrojtje. Qeveria për të gjithë!”, ka potencuar Murati.