Tanja Fajon, Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, ka njoftuar se Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
Fajon do të marrë pjesë të hënën e 20 qershorit në Luksemburg në një takim të krerëve të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian. Aty do të diskutohet për situatën në Ukrainë dhe për dhënien e statusit kandidat këtij vendi, raporton “klix.ba”, transmeton PortaliD.
Fajon ka theksuar se ishte jashtëzakonisht e nderuar që ishte pjesëmarrëse në takimin e sotëm.
“Kjo është hera ime e parë këtu si ministre e Jashtme e Sllovenisë dhe jam e nderuar të marr pjesë në takim. Sot do të kemi një diskutim të rëndësishëm në lidhje me Ukrainën. Sllovenia do të vazhdojë politikën e saj për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e këtij vendi”, ka thënë Fajon.
“Ne, gjithashtu, mbështesim dhënien e statusit të vendit kandidat për të gjitha vendet brenda partneritetit”, ka shtuar Fajon.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka thënë se takimi i sotëm nuk duhet të harrojë Ballkanin Perëndimor dhe vendet në pritje të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.