Jeliq për deklaratat e saj në MUP-in serb: Personat që kanë shkruar këto deklarata duket që kanë improvizuar

Dëshmitarja Stamena Jeliq duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit tha se deklarata e saj për MUP-in serb përmban gjëra që ajo vetë nuk i ka thënë ndonjëherë.

Ajo tha se personat që i kanë shkruar  këto deklarata si duket kanë improvizuar.

Tavakoli i lexoi dëshmitares pjesë nga deklarata e saj për MUP-in  pikërisht në një pjesë ku kishte bërë përgjegjës Avni Balajn për rrëmbimin e burrit të saj.

“E shoh, por zonjë unë nuk e kam thënë këtë. Nuk e kam përmendur atë apo dikë tjetër si organizues i kësaj gjejë. E shoh (nënshkrimin) por ato nuk janë deklaratat e mija. Personat që kanë shkruar këto deklarata duket që kanë improvizuar. Nuk e di si e kanë shkruar, por unë nuk i kam përmendur këta emra ose një pale tjetër”, tha dëshmitarja Jeliq.

Tavakoli pyeti dëshmitaren se a e dinte që këto deklarata ishin përpunuar nga MUP-i serb.

“E shoh që është shkruar aty, po e lexoj por këto nuk janë fjalët e mija”, tha Jeliq.

Tavakoli pyeti dëshmitaren se a po dëshmon që MUP-i serb ka improvizuar në deklaratën e saj.

“Unë thjeshtë dua të them që këto nuk janë fjalët e mija. Asgjë tjetër”, tha Jeliq.

Tutje, Tavakoli vazhdoi të bëjë pyetjet për të njëjtën deklaratë por lidhur me një incident tjetër. Në deklaratën për MUP-in pretendohet se dëshmitarja ka thënë se njeri prej personave që kishin shkuar në shtëpinë e saj e kishte mbiemrin Silkiq, i dyti Bugari dhe i treti që kishte veshur pantolla dhe këpucë e kishte pasur pseudonimin Golubari.

“Sa i takon Golubarit dhe Bugarit e kam thënë ndërsa pjesën tjetër jo. Ka shumë gjera të shënuara këtu të ndryshme që nuk i kam thënë. Këtu thuhet po ashtu që Hashim Thaçi kishte ardhur në Rahovec, nuk e kam thënë këtë se është diçka që do ta kujtoja”, tha Jeliq.

Jeliq vazhdoi duke thënë se gjysma e fjalëve që po thuheshin në atë deklaratë nuk ishin të saj

Asgjë nga këto që janë këtu nuk janë fjalët e mija. Nuk e kam thënë as gjysmën që janë këto. Nuk e kuptoj se nga vijnë gjitha këto gjëra”, tha Jeliq.

“Është e qartë që ajo nuk e din nga kanë përfunduar këto gjëra në këtë deklaratë”, tha tutje kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Ndërsa, avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli tha se ky është një shembull tjetër që MUP-i bën improvizime.

“Ky është shembull tjetër që MUP-i bën improvizime pra”, tha Tavakoli gjë e cila u kundërshtua nga prokurorja me arsyetimin se përben spekulim gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

Dëshmitarja mohoi se ka thënë për MUP-in serb se djali dhe babai i saj kanë parë një fotografi të burrit të saj me armë.

Ndryshe, përpara gjithë këtyre deklaratave, avokatja Tavakoli tha se Ludvig kishte thënë që vetë ai nuk beson që Ismet Tara ka pasur gisht në rrëmbimin e civilëve serbë pas futjes së NATO-s në Kosovë.

Dëshmitarja tha se Ludvig e ndihmoi atë dhe familjen e saj që të largohet nga Kosova për çka edhe e falënderoi.

Ajo gjithashtu tha se nuk e din që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë hetim për çështjen e bashkëshortit  të saj.

“Nuk kam pasur asnjëherë asnjë bisedë me ata. Thjeshtë kam shkuar aty dhe kam raportuar zhdukjen e burrit tim”, tha Jelliq duke shtuar se ka shkuar te KFOR-i e që askush nuk i ka bërë pyetje.

Në pyetjet për Ismet Taren, dëshmitarja pohoi se ai e kishte marrë vjehrrën e saj në makinë me qëllimin që të mund të identifikonte personat që e kishin barë atë gjë djalit të saj në qytet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Tavakoli, dëshmitarja mohoi se ka dijeni që vjehrra e saj kishte shkuar tek Ismet Tara që t’i tregojë se ata burra që ia rrëmbyen djalin e saj ishin kthyer dhe kërkonin para.

“Vjehrra ime ishte e vjetër dhe ecte me shkop. Nuk është e saktë kur thoni që ajo ka shkuar tek Ismet Tara disa herë. Sa i takon deklaratave dhe kush i ka shkruar ato nuk e di. Ajo ka shkuar për tu takuar me Ismet Taren vetëm një herë atë ditë. E di këtë sepse kemi jetuar në të njëjtën shtëpi”, vijoi tutje dëshmitarja.

Tavakoli tutje i tha dëshmitares së një gjë të tillë e kishte thënë vjehrra e saj. Si rrjedhojë, Tavakoli parashtroi si provë deklaratën e vjehrrës së dëshmitares për diskreditimin e dëshmitares.

Lidhur me këtë pati kundërshtime nga ana e Prokurores e cila tha se ky dokument nuk përmban diskreditim për shkak se dëshmitarja tha se nuk ka dijeni për këtë informacion. Me një gjë të tillë u pajtua trupi gjykues. Atëherë, Tavakoli parashtroi që dokumenti të pranohet në prova jogojore dhe kjo gjë u pranua./Betimi për Drejtësi 

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika