“Brenda dy minutave pritet të nisemi në drejtim të lokacionit”.
Mesazhi iu dërgua dhomës komanduese e nisen për të marr veprime nga urdhri i sotëm.
Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës të mërkurën në rajonin e Prizrenit arrestuan tre persona të dyshuar për fajde dhe detyrim.
Krejt kjo ishte në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren e u bë me një urdhër-kontrolli të lëshuar nga gjykata.
E siç shihet nga pamjet e publikuara nga Policia e Kosovës për të përfunduar ky aksion është dashur të zbarkohet në tri lokacione të ndryshme.
Një nga të dyshuarit duket se ishte në vendin e punës.
Ndërkohë, detaje ka dhënë edhe Prokuroria në Prizren, që ka njoftuar se të arrestuar janë, A.Th., I.Th., dhe J.Th.
“Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të papërballueshme për viktimën”.
Prokuroria njoftoi se janë sekuestruar, dy automjete, para të gatshme dhe prova të tjera materiale.
Të pandehurit janë në ndalim policor për 48 orë dhe Prokuroria njoftoi se brenda afatit ligjor të kërkoj ndaj tyre masën e paraburgimit.