Një incident ka ndodhur sot në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë, ku një zyrtar policor dyshohet se ka plagosur me armë zjarri nënën e tij. Këtë raportim të Dukagjinit e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Dukagjini gjithashtu ka mësuar se i dyshuari është pjesë e gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, e cila diplomoi në gusht të këtij viti.
Siç thuhet në njoftim i dyshuari është shoqëruar në IPK, ndërsa është rekomanduar suspendimi i tij. Arma zyrtare, që dyshohet të jetë përdorur në këtë incident, është konfiskuar nga autoritetet për hetime të mëtejshme.
“Lidhur me rastin e parë policia ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore.
Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës.
E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore.
I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare e cila dyshohet se është përdor në këtë rast”, thuhet në njoftim.