Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se çdo raportim kundër punës së tij si ministër ka qenë shpifje.
Kështu i ka komentuar Aliu, raportimet e gazetarit Berat Buzhala, i cili kishte deklaruar se emri i Florent Ramqajt, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut, është ndërlidhur me një aferë korruptive të ryshfetit.
“Krejt këto kanë qenë shpifje”, ka thënë Aliu, në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini.
Kur pyetet se a e kanë dërguar në gjykatë rastin, Aliu ka thënë se tashmë hetuesia po merret me këtë çështje.
“Të gjitha janë duke u marrë, është hetuesia duke u marrë. Jemi duke u marrë me çështjen e shpifjeve, aty pati vetëm një balonë të fryrë për një çështje që doli kurrgjë në fund”, ka thënë Aliu.
Megjithatë, ai ka potencuar se “sulmet e tilla” i pret vazhdimisht që do të ndodhin.
“Sepse jam në ministrinë, e cila ka buxhet të madh, ka projekte me dhjetëra miliona dhe ka grupe interesash që luftojnë sipas mendësisë çfare ka qenë dikur. Po flasim për një projekt që ka qenë para se me qenë ky nipi këshilltar tek unë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, sipas Buzhalës, përgjimi dëshmon se si një përfaqësues i kompanisë private të projektimeve ndërtimore, “Infratek”, e cila është në pronësi të dajës së këshilltarit Ramqaj, kërkon ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi tjetër privat, për dorëzimin e një raporti pranë Ministrisë së Infrastrukturës për punët e kryera për një projekt rrugor.
Buzhala: LVV janë mashtrues, po mundohen t’i hedhin hi syve të publikut