Të martën e 21 qershorit do të mbahet takimi i radhës në Bruksel, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Kështu është konfirmuar nga Bashkimi Evropian, ku thuhet se në rend dite do të jetë marrëveshja për energji dhe përgatitjet e një takimi të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Nesër, më 21 qershor, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritës i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve” , ka thënë Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.
Sipas tij, takimi do të fokusohet në finalizimin e një udhërrëfyesi, i cili do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes për energji të vitit 2013-të dhe 2015-të si dhe në çështjet e tjera, përfshirë edhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.
Nikoqir i takimit do jetë përfaqësuesi i veçantë i BE-së për dialog, Miroslav Lajҫak.
BE-ja pret që në këtë takim në nivel kryenegociatorësh të ketë një konsensus konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji, e mundësisht edhe nënshkrimin e një deklarate për të çështjen e të pagjeturve.
Secili takim i zhvilluar në Bruksel që nga ajo kohë ka përfunduar pa asnjë rezultat.