Shqipëria dhe Kosova, në mbledhjen e përbashkët të 20 qershorit kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si projekt me vlera të rëndësishme kombëtare, veçoi ndërtimin e hekurudhës që do t’i lidhë të dyja vendet.
Ndërtimi i hekurudhës Tiranë – Prishtinë do të krijojë mundësinë që të gjithë aksesin që Shqipëria ka në Detin Mesdhe, t’ia japi dhe Kosovës.
“Është një projekt që jo vetëm do të lidhë dy vendet me hekurudhë, por edhe përmes konceptit të dy porteve, portit të Durrësit dhe portit të thatë të Prishtinës. Është një koncept shumë modern që është zbatuar në vende shumë të zhvilluara sa i përket tregtisë”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës.
Balluku shtoi se mbetet për t’u hapur gara për të pasur një kompani fituese për realizimin e projektit.
Gjithashtu, ministrja ka thënë se parashikohet se hekurudha mund të përfundojë brenda një harku kohor prej 4 vjetësh.