Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës ka nisur me avazin e vjetër. Dy seancat e vetme gjatë këtij sesioni u ndërprenë për shkak të mungesës së deputetëve, rrjedhimisht dështimit të miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve. Ky trend pritet ta përcjellë kuvendin gjatë tërë vitit, deri në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sfidë për mazhorancën po konsiderohet edhe miratimi i projektligjeve që nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 deputetëve, pas largimit të dy deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kyreparlamentari, Gluk Konjufca e pranon se puna në legjislativ do të jetë sfiduese në arritjen e përmbushjes së agjendës legjislative, mirëpo e sheh të domosdoshme arritjen e një konsensusi me partitë opozitare për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe disa projektligjeve më vitale.
Në anën tjetër, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) thonë se për shkak të fushatës tashmë deputetët kanë nisur punën në teren dhe do të jetë e pamundur qëndrimi në seanca plenare, mirëpo potencojnë se për ligje që prekin mirëqenien e qytetarëve do të marrin pjesë në votim.
Ndërkaq, monitoruesit e punës së Kuvendit, thonë se të zgjedhurit e popullit assesi nuk po mundet në luajnë rolin e tyre kushtetues si në aspektin legjislativ, ashtu edhe përfaqësues dhe mbikëqyrës ndaj ekzekutivit.
Konjufca shton se për me arrit me mbajt seancë çdo javë nevojiten negociata edhe me opozitën se cili projektligj mund të miratohet, po ashtu edhe për marrëveshjet ndërkombëtare.
Skeptik për punën e Kuvendit në sesionit vjeshtor shprehet edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Në anën tjetër, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), deklaron se sesioni vjeshtor i Kuvendit ka filluar dobët, pasi deputetët s’po arrijnë të kryejnë rolin e vet kushtetues.
Ai shton se kuorumi është bërë si një sëmundje për kuvendit, nga i cili nuk po munden të kurohen.
Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor më 9 shtator, derisa ka arritur të mbajë vetëm dy seanca plenare, të cilat pas përfundimit të pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës janë mbyllur për shkak të mungesës së kuorumit në vendimmarrje si për miratimin e projektligjeve, ashtu edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare./KP