Në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, një 22-vjeçar ka humbur jetën pas goditjes nga rryma elektrike.
Në njoftimin e Policisë thuhet se incidenti ka ndodhur të dielën, në orën 10:00, kur viktima është dërguar me urgjencë në Emergjencën e SHSKUK-së në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Ilmi Prekazi, ai ka ndërruar jetë një orë më vonë.
Ekipet policore dhe eksperti i energjisë elektrike kanë dalë në vendngjarje për të hetuar rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orës 11:23, policia ishte njoftuar nga Emergjenca se viktima kishte humbur jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe eksperti i rrymës. Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore dhe është kontaktuar prokurori kujdestar”, thuhet nga ana e Policisë.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po trajtohet si “vdekje e dyshimtë”.