Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është hera e parë që në Kosovë nuk ka pasur protesta me parulla “duam punë”, pasi janë hapur 75 mijë vende të reja të punës.
Këto komente, Kurti i ka bërë në Konferencën për Turizmin e Qëndrueshëm e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Jemi Qeveria e parë në Kosovë ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetëm ku figuron ‘duam punë’. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës sigurisht, por duam punë nuk ka më parrulla, dhe kjo është si pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka lavdëruar Kosovën për investitorët e jashtëm dhe fuqinë punëtore në Kosovë, veçanërisht rininë.
Kurti ka potencuar se përfundimi i plotë i mandatit të Qeverisë së tij është shenjë e një stabiliteti politik në Kosovë.
“Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime me një popullsi të re dhe dinamike vendi ynë ka potencial për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit. Disa nga faktorët që e mbështesin këtë potencial përfshijnë stabilitetin institucional të vendit tonë që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pastaj afërsia me tregjet e Evropës perëndimore që ofron mundësi të jashtëzakonshme për tregti dhe investime, mandej rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit, e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik, pastaj zhvillime i projekteve infrastrukturore”, ka deklaruar Kurti, duke listuar edhe arsye të tjera, transmeton EO.
Sipas tij, një aspekt tjetër që dua të theksoj është politika “friendshoring”, një mundësi që po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga prodhues të ndryshëm për t’u rialokuar në rajonin tonë sa më larg prej zonave të ndryshme të konflikteve apo të tensioneve dhe padyshim që kjo ofron mundësi të shkëlqyer për Kosovën”.