Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar heroin Abedin Rexha i njohur si “Sandokani” në 26-vjetorin e vrasjes së tij.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se Sandokani ishte njëri nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së.
“Rezistenca e tij e armatosur përballë forcave policore serbe, ishte bërë shkaktare e një serie ngjarjesh që çuan deri te dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot bëhen 26 vite nga vrasja e Abedin Rexhës – Sandokanit, njërit nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së. Ai u vra në pyjet e Kllodernicës së Skenderajt, më 8 tetor 1998, në një kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës sapo e kishte kaluar ofenzivën e forcave armike serbe të verës së vitit 1998 dhe kur UÇK-ja kishte shumë nevojë për njerëz si Abedin Rexha që mund t’i kontribuonin riorganizimit të saj”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Mes tjerash, Kurti ka theksuar se Abedin Rexha kishte filluar aktivitetin e tij qysh në fund të viteve ’80, kur bashkë me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin kishte shpërndarë edhe trakte e shkruar afishe kundër regjimit të Serbisë në Kosovë.