Sot është rikthyer në funksion Qendra Kulturore dhe Dega e Bibliotekës në fshatin Llukar të Prishtinës. E për promovimin e tyre ka shkruar Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama i cili ka thënë se kjo “do hap dyer të reja për krijimtari dhe edukim”.
“Rikthyem në funksion Qendrën e Kulturës dhe Bibliotekën në Llukar, e cila ka shërbyer si një pikë e rëndësishme kulturore deri vonë, kur u shkatërrua në mungesë të menaxhimit. Kjo hapësirë, e dedikuar për artistët, nxënësit e shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi”, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë talentet dhe pasionet e tyre, tani hap dyer të reja për krijimtari dhe edukim”, ka shkruar Rama.
Drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi është shprehur e “lumtur” për hapjen e degës së Bibliotekës dhe Qendrës Kulturore.
“Jashtëzakonisht e lumtur që sot e promovuam Qendrën Kulturore dhe Degën e Bibliotekës në fshatin Llukar. Kjo hapësirë do të shërbejë si një vend takimi për të rinjtë dhe të rejat që e duan artin dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë. Një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë të angazhohen, të krijojnë dhe të shprehin veten në një ambient kaq frymëzues”, ka shkruar Halimi.