Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikat kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat sapo të bëhen funksional skanerët me rreze X.
Deri atëherë, sipas tij, vetëm pika kufitare në Merdarë është hapur për të gjitha mallrat, por me kontrolle manuale të sigurisë.
“Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.
Ai ka potencuar se transportuesit e mallrave janë paralajmëruar të marrin parasysh këtë ndryshim në planifikimin e kohës për procedurat e reja të kalimit kufitar.
Gjatë ditës së martë, kamioni i parë me produkte serbe tashmë ka kaluar pikën kufitare në Merdar, raporton ekipi në terren i TV Dukagjinit.