Dimri po vjen, forcat ruse po çajnë përpara, dhe e ardhmja e mbështetjes nga përkrahësi më i fuqishëm i Kievit është e pasigurt, sepse Shtetet e Bashkuara janë buzë mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale muajin e ardhshëm, ku gara është shumë e nxehtë.
Ukraina është duke luftuar për mbijetese dhe sovranitet, prandaj çdo ditë, çdo javë, dhe madje çdo muaj është mbase vendimtar për fatin e vendit.
Por, një grumbull faktorësh e bëjnë këtë kohë tejet vendimtare: Ukraina është duke u përballur me trysni në shumë fronte, për më tepër në vijën e vërtetë të frontit të luftës, i cili shtrihet përgjatë vendit, nga verilindja deri në jug.
Trupat ruse janë duke carë përpara në rajonin lindor, të njohur si Donbas, ku e pushtuan qytetin e rëndësishëm Vuhledar javën e kaluar.
Në prag të dimrit, bombardime e pareshtura ruse e kanë kufizuar dukshëm prodhimin e rrymës nga Ukraina, duke ngjallur frikë për një krizë energjetike.
Këtë javë, madje edhe moti matanë gjysmës së botës duket se doli kundër Kievit: presidenti amerikan, Joe Biden, e anuloi një vizitë në Gjermani, pasi një uragan e goditi Floridën, duke e nxitur anulimin e një takimi të nivelit të lartë më 12 tetor të shteteve të mëdha perëndimore, që e furnizojnë Kievin me armë, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Nuk është caktuar ndonjë datë e re për takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili do të ishte i pari ndonjëherë në nivelin e krerëve të shteteve. Me gjasë, ky do të kishte qenë takimi i fundit ballë për ballë midis Bidenit dhe Zelenskyt para zgjedhjeve në SHBA më 5 nëntor, rezultati i të cilave mund të ketë ndikim të madh në rrjedhën e luftës, e cila nuk është ndalur prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Takimi do të kishte qenë një mundësi për Zelenskyn t’ua paraqiste shteteve perëndimore “planin e tij të fitores” për luftën.
Meqë planet për një takim të Grupit të Kontaktit janë pasigurta, Zelensky e nisi një turne nëpër Evropë duke paraqitur “planin e tij të fitores” për luftën në bisedime me liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Në një vizitë në SHBA muajin e kaluar, ai e paraqiti planin para Bidenit si dhe kandidatëve rivalë presidencialë, ish-presidentin republikan Donald Trump dhe nënpresidenten demokrate Kamala Harris.
Përgjigjja nuk ishte aq e fuqishme, dhe Zelensky u kthye në shtëpi pa një nga gjërat kryesore që Kievi kërkon: lejen për t’i përdorur raketat amerikane për t’i goditur caqet ushtarake thellë brenda Rusisë./REL