Në seancën e jashtëzakonshme, deputeti i LDK-së, Anton Quni ka thënë se pas çlirimit të Kosovës nuk do kishte menduar se një qeveri për interesat e veta do arrinte marrëveshje jashtë normave morale.
“Isha i bindur se pasë çlirimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ngritjes së cilësisë së demokracisë dhe pas aleancave të shëndosha me partnerët strategjikë, cila do qeveri në asnjë rrethanë për të shtyrë agjendat e saja nuk do të detyrohej që të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave e normave morale, jo transparente larg syve të publikut, e të kushtëzuara nga njeriu me aktet më të mëdha kriminale, nga njeriu me fletarrest ndërkombëtar i vendosur në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radoiçiq”, tha Quni.
Quni ka thënë se është e paimagjinueshme që të shkelet një betim nga deputeti duke bërë marrëveshje me një kriminel.
“Isha i bindur se betimi i deputetit do të ishte një betim që buron nga zemra e shpirti, është fjalë e dhënë, është besë e qytetarëve dhe miqve se në asnjë rrethanë deputeti nuk e vendos intereson personal para atij kombëtar e shtetëror. Është e paimagjinueshme se një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq”.