Tetë nga njëmbëdhjetë personat e lënduar në aksidentin që ndodhi në Veternik janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim.
Sipas mjekut kujdestar, Avdush Bajgora, i cili foli për Radio Dukagjinin, të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë pësuar kryesisht lëndime në ekstremitete të sipërme dhe të poshtme.
11 persona të lënduar nga aksidenti në Veternik ku u përfshi një kamion dhe 11 vetura
Aksidenti i rëndë ndodhi në Veternik, ku gjithsej 11 persona kanë pësuar lëndime trupore. Sipas zëdhënëses së Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, incidenti ndodhi rreth orës 14:30 dhe përfshiu një kamion dhe 11 automjete.
“Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka njoftuar Ahmeti.