Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën

Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarësh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarësh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.

“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës është përballur shpesh me kritika nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve që ato i kanë cilësuar si të njëanshme – përfshirë heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe.

Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë ambasadorin në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kanë thënë se këto veprime ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve SHBA-Qeveri e Kosovës.

Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.

Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.

Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Kasanof tha, gjithashtu, se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet edhe me pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

“Zgjedhjet në SHBA s’mund ta ndryshojnë në mënyrë dramatike politikën ndaj Kosovës”

I pyetur nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen më 5 nëntor, mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi ose në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kasanof tha:

“Politika e jashtme e SHBA-së bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që do ta ndikonte llogaritjen apo politikën në mënyrë dramatike, kur bëhet fjalë për Kosovën”.

Ai vuri në dukje se vizita e tij e parë në Kosovë ishte “kryesisht një vizitë dëgjimore” dhe “për të mësuar më shumë për çështjet”.

“Kam mësuar shumë dhe ato informacione do t’i transmetoj kur të kthehem në Uashington”, tha Kasanof.

Kasanof qëndroi në Prishtinë pas vizitave që bëri këtë javë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Ky ishte turneu i tij i parë në rajon prej se mori detyrën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në korrik të këtij viti./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Imer Mushkolaj kolumnist i rregullt në Dukagjini.com

Analisti Imer Mushkolaj do të jetë kolumnist i rregullt në portalin Dukagjini. Ai përmes kolumneve do të paraqes pikëpamjet dhe analizat e tij mbi politikën...

Emisari i ri i SHBA-së viziton Kosovën

Emisari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, këtë të enjte ka nisur vizitën e tij në Kosovë, e cila u konfirmua nga...

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Të fundit nga rubrika