Kurti kërkon 5 kilometra zonë të sigurisë rreth kufirit, KFOR-i e refuzon

“Meqë brenda dy vjetëve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri i Kosovës, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë.”, kjo kërkesë e bërë para pak ditësh nga kryeministri Albin Kurti, ka marrë përgjigjen e KFOR-it pas interesimit të Televizionit Dukagjini. Në përgjigjen me shkrim, misioni i NATO-së në Kosovë, thotë se zona ajrore dhe tokësore e sigurisë u relaksua plotësisht në vitin 2015, duke nënkuptuar se nuk e kanë ndër mend të ndryshojnë asgjë në misionin aktual

48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe rreth kufirit me Kosovën, ishin vendosur menjëherë pas luftës, dhe vazhdojnë të jenë operative.

Këtë shqetësim ka vite që e ngrit Kryeministri.

Saktësisht në kohën kur këto baza janë vendosur, ishte hequr zona 5 kilometërshe e sigurisë rreth kufirit me Kosovën.

23 vjet pas, kryeministri Albin Kurti nga NATO po kërkon rikthimin e zonës së sigurisë tokësore dhe ajrore. Kurti thotë se brenda dy viteve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj rreth kufirin tonë.

Kërkesës së Kryeministrit i është përgjigjur misioni i KFOR-it, duke e refuzuar tërthorazi këtë ide.

Në përgjigjen dërguar TV Dukagjini, misioni i KFOR-it ka thënë se zona e sigurisë tokësore dhe ajrore është relaksuar plotësisht në vitin 2015.

Duke e theksuar se veprojnë në përputhje me rezolutën 1244, misioni i KFOR-it konstaton se forma se si funksionojnë tash është e duhura dhe nuk ka vend për ndryshime.

“Zona e sigurisë tokësore dhe ajrore, e krijuar përmes Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të vitit 1999, u relaksua plotësisht në vitin 2015.

KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibël dhe monitoron nga afër situatën.

Ne vazhdojmë të përmbushim mandatit tonë nga Kombet e Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – duke kontribuuar në një mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ky është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal.”– KFOR.

Ndonëse nuk ishte në dijeni për përgjigjen e KFOR-it, ish-ushtaraku Hysen Gecaj, ka vlerësuar se kërkesa e Kurti është pothuajse e parealizueshme, dhe se konsideron se është pjesë e fushatës paraelektorale me qëllim për të fituar vota.

“Kryeministri e di fare mirë se ky brez kufitar është problmatik që të kthehet pasi që një herë bashkësia ndërkombëtare me një marrëveshje të sajën e kishte bërë, dhe jo me marrëveshje kosovare, e kishte bërë atë brez kufitar, ajo prap vendos krye në vete jo me kërkesa të Kryeministrit ose kujtdo qoftë nga Kosova”, ka thënë Hysen Gecaj – Ushtarak.

Gecaj thotë se për një rikthim të 5 kilometërshit duhet një marrëveshje e re e ndërkombëtare me Serbinë gjë që nuk realizohet për shkak se nuk ka krizë, dhe se ndërkombëtarë sipas tij po punojnë që Serbinë ta kthejnë kah perëndimi, gjithmonë duke e konsideruar si një shtet të pavarur.

Në marrëveshjen e Kumanovës së 9 qershorit 99, Marrëveshja teknike ushtarake ndërmjet “KFOR-it dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë, në pikën 3 ishte përcaktuar Zona e Sigurisë Tokësore që përfshinte edhe zonën ajrore, 5 kilometër hapësirë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika