Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas promovimit të librit “Përplasje e Madhe”, ka treguar se ky libër trajton ndikimin rus në Ballkan.
I ftuar në emisionin “Radar”, në RTV Dukagjini, Hoxhaj ka thënë se qëllimi i këtij libri është të tregojë se presidenti rus, Vladimir Putin, me ideologjinë e tij e ka keqpërdorur rastin e Kosovës për të krijuar një analogji të rreme.
Hoxhaj sjell shembullin e Kosovës se si Putini dhe Perëndimi kanë qenë në dy plane të ndryshme gjeopolitike dhe strategjike.
Ai, luftën në Ukrainë dhe agresionin rus e sheh si një pikë kthese në mes të një bote të djeshme dhe një bote të sotme.
Sipas tij, ajo çfarë po ndodh në Ukrainë ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor, Kosovën dhe rendin e ri botëror.
“Qëllimi i librit është të tregojë se si Putini, ideologjia e tij edhe Rusia e kanë keqpërdorur rastin e Kosovës për të krijuar një analogji të rrejshme, dhe duke keqpërdorur rastin e Kosovës e kanë goditur Perëndimin, e kanë goditur Kosovën. Goditja në raport me Kosovën është konkrete, ne e kemi shpallur pavarësinë në 2018, por që nga ai vit kemi mbetur jashtë OKB-së”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të politikës ruse ne raport me Kosovën.
“Në këtë libër e trajtoj përplasjen e Rusisë me Perëndimin në Ballkan, politikën ruse agresive në raport me Kosovën dhe jap sugjerime se si Kosova do të duhej të sillej politikisht, se në politikë botëtore çdo luftë then tabu, krijon rregulla e mundësi të reja dhe këto mundësi të reja Kosova duhet t’i përdorë për t’i shërbyer vendit dhe për ta përmbyllur shtetësinë tonë”, shtoi ai.
Për Hoxhajn, ajo se çfarë po ndodh në Ukrainë tregon pasqyrimin e një fashizmi rus. Kjo sepse sipas tij, Rusia nuk ka interesa vitale në Ukrainë.
“Por kur ka një ideologji e cila është fashiste, kur ka një gjë politikë që është raciste, atëherë realisht ndodh edhe një luftë e tillë e cila është e pakuptimtë por falë mbështetjes amerikane dhe evropiane, Ukraina e theu goditjen e parë ruse, triumfuan mbi Rusinë dhe jam i sigurt që prej epilogut të luftës në Ukrainë do të varet shumë edhe e ardhmja e Evoprës, Ballkanit”, është shprehur Hoxhaj.
Luftën në Ukrainë Hoxhaj e ka quajtur të padrejtë.
“Fakti që atje po ndodh gjenocid, po shkatërrohen qytete, po ndodh spastrim etnik, kjo është një luftë që është e padrejtë, dhe luftërat e padrejta i takojnë humbësve dhe jam i sigurt që Putini do ta humbë këtë luftë”, potencoi ai.
A mund ta ndalë bota këtë luftë?
“Bota mund ta ndalë dhe duhet ta ndalë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Kur pyetet se pse nuk reagojnë, ai thekson se është e pamundur sipas pikëpamjes së amerikanëve dhe evropianëve që ata të ndërhyjnë ushtarakisht në Ukrainë sikurse kanë ndërhyrë në Kosovë.
“Meqë Rusia është një vend që ka bombë nukleare, ka fuqi të madhe ushtarake dhe rreziku është që kjo luftë të përshkallëzohet”, ka vlerësuar Hoxhaj.
“Ende nuk e dimë se cilat janë qëllimet përfundimtare të Putinit, mund të jetë qëllim i tij që ta përhapë luftën edhe në Moldavi, Gjerogji, Bjellorusi, të sulmojë edhe ndonjë vend tjetër shtet anëtare të NATO-s dhe meqë Ukraina nuk është shtet anëtar i NATO-s, NATO nuk mund të ndërhyjë ashtu se si ne do të donim”.
Sipas tij, më shumë është një përpjekje që duke mbështetur direkt Ukrainën me armë, politikisht, financiarisht, amerikanët dhe evoprianët e kanë determinuar deri më tani rezultatin e luftës.
Libri, fillimisht është promovuar në Tiranë, ndërsa dje është promovuar edhe në Prishtinë. Atë mund ta gjeni në Librarinë Dukagjini nga ku edhe mund ta porosisni online përmes aplikacionit dhe librari të tjera në qytete të tjera si Prizren dhe Ferizaj.