Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqeonci, ka reaguar në lidhje me aktivitetet ushtarake të ushtrisë serbe në afërsi të vijës kufitare me Kosovën, duke i cilësuar ato si tentativa për të kamufluar një militarizim agresiv.
Ai ka theksuar se aktivitetet e ushtrisë serbe, që pretendohen si ruajtje e pyjeve, bien ndesh me ligjin e pyjeve të Republikës së Serbisë, ku vetëm rojet e pyjeve nën Ministrinë e Bujqësisë janë të autorizuar për këtë detyrë.
“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Maqeonci po ashtu shprehu shqetësim për ushtrimet ushtarake si “Vihor 2024,” të cilat, sipas tij, shërbejnë si justifikim për rritjen e kapaciteteve ushtarake serbe në jug.
“Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”, ka shkruar tutje ai.
Ai theksoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbajë kursin e saj për integrime euro-atlantike dhe të zhvillojë kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, për të garantuar mbrojtjen e sovranitetit dhe paqes në rajon.