Një burrë i armatosur është arrestuar pranë tubimit të kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, në Coachella, Kaliforni, sipas njoftimit të policisë.
Policia e Qarkut Riverside ka konfirmuar se po vijnë detaje të reja dhe pritet të mbahet një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen.
BBC duke cituar burime policore, raportojnë se personi në fjalë kishte gjithashtu një leje të falsifikuar.
Sipas njoftimit të Policisë së Qarkut Riverside, zyrtarët e caktuar për sigurinë e tubimit të ish-presidentit Donald Trump e zbuluan armët gjatë kontrollit të një makine të zezë tip SUV në një pikë kontrolli pranë vendit të ngjarjes.
Shoferi, një burrë 49-vjeçar, posedonte në mënyrë të paligjshme një shotgun, një armë zjarri të mbushur dhe një karikator me kapacitet të lartë, raportoi policia.
I dyshuari, Vem Miller, u arrestua pa incident dhe u dërgua në paraburgim për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe një karikatori me kapacitet të lartë.
Policia konfirmoi se siguria e Trump dhe e pjesëmarrësve në tubim nuk është cënuar nga ky incident.