Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohet për gjendjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli, ka dhënë dy arsye kryesore për këtë mospjesëmarrje, duke mos kursyer kritikat ndaj partive opozitare.
Sipas Dugollit, një nga arsyet është kërkesa e opozitës për shkarkimin e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të audio-incizimeve që lidhen me kriminelin serb, Milan Radoiçiq.
Arsyeja e dytë që përmendi Dugolli është se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tashmë ka raportuar në Komisionin për Siguri për çështjen e gjendjes së ushqimit në FSK.
“Tentimi për të diktuar e shantazhuar grupin parlamentar për të shkarkuar Kusari-Lilën si kompensim për pjesëmarrje në seanca apo votim, është absurd dhe nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kënd e votojnë ata për shef të grupit. Ne nuk marrim pjesë në asnjë seancë që vije nga ana e tyre derisa ata të reflektojnë dhe të shmangin këtë formë reflektimi. Kjo është arsyeja e parë… Arsyeja e dytë që është edhe më praktike e që kundërshton arsyeshmërinë e thirrjes së kësaj seance., në fillimin e javës së tetorit, në kërkesën e bërë nga opozitë, të gjithë anëtarët e Komisionit e përkrahëm kërkesën e tyre që të ftojmë ministrin Maqedonci në raportim, e që raportoi për këtë çështjen e sotme”, ka thënë Dugolli.
Dugolli më tej ka shtuar se ushtria e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë pa ushqim dhe se do të vazhdojë të mbështetet fuqishëm nga qeveria, ndërkohë që akuzoi opozitën për përpjekje për të dëmtuar progresin në FSK.
“As optimisti më i madh nuk e ka parë një kapërcim kaq të madh për investim në mbrojtje e siguri. Pra të gjitha këto që i dëgjoni në publik, nuk e kanë për buxhetin, nuk e kanë për mbështetjen për FSK-në e kanë thjesht për do ‘dollarë’ që janë shkëputur, për do financues të partive politike e me theks të veçantë për një parti politike, por mbase edhe më shumë. Për oligarkë që e kanë mbajt monopolin në ushqim, madje edhe me keqpërdorime të mëdha e helmime të mëdha që kanë ndodh ndaj ushtrave të FSK-së. Dhe një gjë që ushtria e Kosovës as nuk është pa bukë dhe as nuk do të mbetet pa bukë. Me ne do të vazhdojmë të mbështesin ushtrinë e Kosovës, progresin, fuqizimin e saj, ndërsa opozita po vazhdon me zhurmën për oligarkë të ndryshe, të cilët në një far forme ia kanë zënë frymën dhe zhvillim FSK-së”, ka shtuar Dugolli.