Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar nevojën e aktivizimit të shpejtë të Prokurorisë sa i përket problemeve të ushqimit dhe furnizimeve bazike të FSK-së.
Kastrati krahason qeverinë Kurti, me narkotrafikantin, Pablo Escobar, duke thënë se ndryshe nga ai që tregtonte me drogë, qeveria tregton me ushqimin e ushtarëve.
“Prokuroria duhet me u aktivizu sa ma shpejtë sepse ky është skandal i hajnave të pasulit e qorbave, duhet me u arrestu këta Pablo Esobarat e Kosovës, sepse profili i tyre kriminalizum është i Pablo Escobarit, dallimi është që Pablo tregtonte me drogë e këta tregtojnë me ushqim të ushtarëve të FSK-së,” tha Kastrati.
Më tej Kastrati thotë që ushtria duhet të jetë bastion krenarie, por po përballet me sfida serioze që ndikojnë në moralin e ushtarëve.
“Ushtria duhet të jetë një bastion i shpresës e i krenarisë, e tani duket si një anije e fundosur pas skandalit të pasulit që e qojnë dorën në oqeanin e errët të banditave e skandaleve të kësaj qeverie, mozomakeq prej kujt kërkojnë ndihmë…. Morali ushtarëve tani është i kërcënuar duke i lënë të përballen me pyetje ekzistenciale se a kemi me pasë ushqim në punë apo ta marrim me vete”,shtoi Kastrati.
Ai akuzon qeverinë se me finesë, korrupsionin po e kthejnë në art.
“Dallimi është që Escobari ka plaqkitur me armë e maska, këta plaqkisin me stilolaps e me firma e kështu me finesë e bëjnë art korrupsionin, dhe urinë e ushtarëve tonë e bëjnë monedhë të përfitimit tyre personal, këta vjedhin pasul e konserva… Kjo është qeveria e hajnave të pasulit, e kanë shpall top-sekret pasulin, çfarë turpi, e kjo është simptoma më e re e korrupsionit,” tha Kastrati.