Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit ka filluar mbylljen e komunës paralele serbe për Skenderajn, një pjesë e së cilës ka funksionuar në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se aktualisht po kryhet një bastisje në objektin e kësaj komune.
“Sot gjatë verifikimeve policore në teren kemi ardh deri tek informacioni se Komuna Paralele e Skenderajt është aktive në territorin e Mitrovica Veri. Kemi konsultu Prokurorin i cili e ka rastin e Komunave Paralele në Veri dhe në koordinim me të kemi hy në këtë ndërtesë dhe jemi duke u marr me rastin”, ka thënë Elshani për Dukagjinin.
Sipas tij, kjo komunë paralele serbe do të mbyllet.
Kjo vjen pas disa javësh nga mbyllja e komunave të tjera paralele që vepronin në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.
Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.