Policia e Kosovës ka mbyllur një pjesë të komunës paralele të Skenderajt, e cila funksiononte në një objekt nën pronësi të Trepçës.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, gjatë kontrolleve të zhvilluara të mërkurën, janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje që vërtetojnë lëshimin e dokumenteve të falsifikuara.
“Lidhur me rastin më datë 16.10.2024, njësit policore pas informacioneve të marra nga rrugët operative, kanë zhvilluar kontrolle në objektin nën pronësi të Trepçës, pasi që në atë lokacion ishte duke funksionuar komuna paralele e Skenderajt. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e PK-së.
Zëvendëskomandanti i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Dukagjinin se gjatë verifikimeve u mësua për aktivitetet e komunës paralele në veri të vendit.
Edhe pse nuk ka pasur arrestime, Elshani ka theksuar se do të intervistohet përgjegjësi i zyrës të mbyllur.