Ka ditë që skenën politike dhe mediale në Kosovë e dominon një emër: Millan Radoiçiq. Ish-“bossi” i veriut, udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë, është kthyer në skenë si “armë lufte” ndërmjet pushtetit dhe opozitës, që po akuzohen ndërmjet vetes se kush e ka më ”dost” dhe kush ka bashkëpunuar më shumë me të.
Në një intervistë televizive Mimoza Kusari-Lila, u.d. e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, u përpoq të shfajësojë veten dhe t’i fajësojë mediat për bisedën dhe koordinimin e saj me me Radoiçiqin dhe homologun e saj nga Lista Serbe, Slavko Simiq. Por, nuk është se sqaroi gjë. Në njëfarë forme vetëm i konfirmoi ato që janë publikuar në media.
Ndërkohë, për ta “ndihmuar” debatin me Radoiçiqin në qendër, u shfaq Behgjet Pacolli i AKR’së, i cili tha se kur Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente, në prani të Albin Kurtit ai i kishte telefonuar Radoiçiqit për t’i siguruar vota të nevojshme nga Lista Serbe. Nuk është e qartë pse Pacolli zgjodhi të përfshihet nga “out”-i në debat, por sa herë që ai e përmend Radoiçiqin të vjen ndërmend një fotografi e tij e vitit 2017, në një jaht në Budvë, bashkë me po këtë Radoiçiqin.
Partia në pushtet nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprimi ndaj Kusari-Lilës, përkundrazi, e ka konfirmuar mbështetjen për të duke ia organizuar festën e ditëlindjes në Kuvend. Kundërpërgjigjja e pushtetit për akuzat e partive opozitare është se kur kanë qenë në pushtet ato e kanë pritur Radoiçiqin në zyrë, se deputetët e Listës Serbe i kanë pritur me orë të tëra që të vijnë nga Beogradi për ta votuar qeverinë e koalicionit PAN dhe se do të shfaqen materiale kompromituese në të cilat njerëz të opozitës ka gjasa të shihen me Radoiçiqin në vilën e tij.
* * *
Temat për veriun dhe Radoiçiqin duket se nuk po e shqetësojnë pushtetin. Përkundrazi. Ndërkohë, janë lënë anash dhe jo si duhet të mbuluara nga opozita plot të tjera, që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.
Një raport i Bankës Botërore tha se në Kosovë të punësuar janë vetëm 37.1 për qind e qytetarëve të aftë për punë. Por, partia në pushtet ka shifra të tjera, siç është ajo se punësimi është rritur 20 për qind, kurse papunësia ka rënë në vetëm 4 për qind.
Partitë opozitare janë përpjekur që t’i demantojnë këto pohime të qeverisë dhe të tjera si këto, megjithatë gjithçka është mbytur në debatin për Radoiçiqin dhe “kumbaritë” me të, përkatësisht “tradhtinë kombëtare” të “njerit të Serbisë”, siç e etiketon Kurtin kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.
Çdo përpjekje e opozitës për ta goditur Kurtin në lidhje me veriun shkon në favor të tij. Në këtë mënyrë lihen anash problemet në infrastrukturë, ekonomi, arsim e shëndetësi. Lihen anash inflacioni e varfëria, si dhe plot fusha të tjera, në të cilat qeveria e Kurtit jo që nuk ka shkëlqyer, por ka dështuar.
Debati për lidhjet e politikanëve shqiptarë me Radoiçiqin po eklipson debatin për çështje jetike për qytetarët, po eklipson të drejtën e qytetarëve për t’u informuar drejt se në ç’formë partitë politike do t’i qasen zgjidhjes së problemeve.
Më 9 shkurt të vitit të ardhshëm kosovarët nuk do të duhej dhe nuk duhet që votën e tyre t’ia japin asaj partie që ka hedhur më shumë vrer ndaj tjetrës se kush e ka ma “dost” Radoiçiqin, por partisë e cila ka zgjidhje më të realizueshme për problemet e tyre.
Institucionet kosovare tashmë kanë ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe grupit të tij. Në aktakuzë është sqaruar se si ai ka përfituar miliona nga institucionet e Kosovës, duke e kthyer në njeri të fortë për serbët dhe vendimmarrës për politikën shqiptare. Kompanisë së tij tender i është dhënë edhe nga pushteti aktual.
Është fatkeqësi që një person si ai po iu shërben politikanëve shqiptarë për të qëruar hesape ndërmjet tyre, duke e shfaqur si alternativë zgjedhore.