Mbi 1 mijë operacione janë kryer për nëntë muaj në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Sejdë Statovci.
Ai ka thënë se aktualisht punojnë me vetëm dy salla operative, por që sfidë si çdo klinikë në QKUK e kanë me mungesë të anesteziologëve.
“Në raportin e nëntëmujorit janë saktësisht mbi 1 mijë operacione, sepse akoma nuk kishte përfunduar muaji kur i kemi nxjerrë këtë raport, por janë 980 operacione sipas kësaj statistike por që deri në fund të shtatorit janë më shumë se 1 mijë”, ka thënë Statovci për EO.
Ndonëse funksionojnë me vetëm dy salla të operacioneve, Statovci ka thënë se në gatishmëri i kanë edhe dy të tilla, por që mungesa e anesteziologëve ka pamundësuar funksionimin e tyre.
“Sa i përket kirurgëve të fëmijëve, jemi mirë, jemi të konsoliduar dhe kemi pesë specializantë. Sfida me të cilën po përballemi ne është ajo që përballen të gjitha klinikat e QKUK-së, mungesa e anesteziologëve”.
“Ju po e shihni se i kemi katër salla, arrijmë t’i shfrytëzojmë vetëm dy salla sepse nuk ka mjaftueshëm anesteziologë, por me këto kapacitete që i kemi nuk është keq pasi janë kryer mbi 1 mijë operacione”, ka deklaruar Statovci, teksa shton se lista e pritjes është vetëm tre muaj.
Ka thënë se qëndrojnë mirë me staf dhe me aparatura.
“Me aparatura jemi mirë edhe ndërtesën e kemi të re por edhe pajisjet janë të reja, vazhdimisht ne vazhdojmë të pajisemi. Tash kohëve të fundit jemi pajisur gastroskop/koloskop dhe janë duke u trajnuar mjekët të cilët do të punojnë me të. Po listë të pritjes ka”.
“Nuk është shumë e gjatë, momentalisht është tre muaj lista e pritjes. Ne çdo muaj bëjmë ‘update’ të listës së pritjes, hiqen disa pacientë, regjistrohen disa pacientë të rinj, por me këto mundësi që i kemi me dy salla, pritja është rreth tre muaj”, u shpreh Statovci.