Të hënën ka filluar punën spitali pediatrik-kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky doncaion, i dhënë për shëndetësinë e Kosovës, kishte vlerën prej 22 milionë eurosh.
Në ditën e parë të zbatimit të Planit për funksionalizimin e këtij spitali janë kryer dy operacione të fëmijëve. Po ashtu, kanë filluar punën ambulanca specialistike pë fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia specialistike.
Brenda këtij spitali janë në funksion shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, ku bëhet studimi i gjakut, studimi i kancerit ose parandalimi i çrregullimeve të kancereve që prekin gjakun, shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë.
Në ndërkohë, priten të transferohen edhe shërbimet ortopedike, neo-onatologjia që përfshin kujdesin mjekësor të foshnjave të porsalindura, veçanërisht të porsalindurve të sëmurë ose parakohshëm, dhe shërbime të tjera për fëmijë.
Spitali pediatrik – kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore, ato të traumës, shërbimet e observimit dhe rikuperimit, shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike, njësinë e radiologjisë së fëmijëve, sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara, njësinë e kirurgjisë ditore dhe endoskopisë së fëmijëve, sterilizimin qendror, mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve, Departamentin e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike.
Spitali pediatrik – kirurgjik në QKUK pritet të bëjë një ndryshim të madh e të rëndësishëm, sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do t’u ofrohen fëmijëve në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë ka falenderuar me këtë rast Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë investim kapital dhe zemërgjerë për fëmijët e Kosovës.