Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se ka themeluar Rrjetin e Grave Gazetare të Kosovës, si një iniciativë e cila vjen pas identifikimit të nevojave dhe shqetësimeve të gazetareve.
Sipas njoftimit, thuhet se vikendin e kaluar, me pjesëmarrjen e 25 kolegëve gazetare dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, u hodh baza për këtë rrjet të rëndësishëm.
“Gjatë takimit, koleget e pranishme propozuan dhe votuan Bordin Këshillëdhënës të Rrjetit, i cili përbëhet nga tri figura të njohura në gazetari: Leonida Molliqaj, redaktore në QIKA, Gentiana Begolli Pustina, udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në RTK, dhe Qëndresa Tërshani nga Klan Kosova”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Masha Mileusniq, mentore e themelueseve të këtij rrjeti, ndau përvojën e saj dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti gjithëpërfshirës për gratë në media.
Ajo theksoi praktikat më të mira të funksionimit të rrjeteve të grave gazetare dhe rëndësinë e adresimit të problemeve të tyre në vendin e punës.
Misioni i Rrjetit është krijimi i një hapësire të sigurt për gratë në media, parandalimi i përdorimit të gjuhës seksiste dhe mizogjene në diskursin publik, si dhe mbështetje për adresimin e sfidave që hasin gazetaret.
Rrjeti është i hapur për çdo grua që punon në sektorin medial, dhe AGK inkurajon të gjitha koleget të anëtarësohen për të kontribuar në përmirësimin e pozitës së grave në vendet e punës dhe në diskursin publik.
AGK shprehi falënderime të veçanta për koleget që morën pjesë në këtë takim, si dhe për mbështetjen e dhënë nga British Council Kosovo, NDI, Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Bashkimi Evropian.