Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci është dëshmitari i radhës, i cili filloi të hënën dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Ky dëshmitar është i 96-ti me radhë dhe mban kodin W04240. Ai ishte me masa mbrojtëse, por pas seancës private në fillim, atij iu hoqën masat.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.
Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, përmes vido-lidhjes është i pranishëm gjyqtari Christoph Barthe.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi