Presidenti i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të SPAK-ut.
Meta u prangos nga policia teksa po udhëtonte me veturën e tij, e lidhur me rastin janë deklaruar Policia e Shtetit.
Me anë të një njoftimi, thuhet se atyre iu imponua përdorimi i forcës.
“Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht. Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij, për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë”, thuhet në njoftim.
Në qershor të këtij viti Meta u thirr në Prokurorinë e Posaçme, duke shënuar herën e tretë që mbërrin si deklarues në këtë institucion. Ai dha shpjegime për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit.
Filtrimi i pasurisë së tyre është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me lobimit 700 mijë eurosh të LSI-së në SHBA, si edhe kallëzimit për shpenzime të pajustifikuara për ndërhyrje estetike në një klinikë jashtë vendit.