Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) i ka dhënë autorizimin e përgjithshëm Starlink-ut, platformës së internetit satelitor operuar nga Starlink Services, LLC, një degë e kompanisë amerikane SpaceX.
Ky hap i rëndësishëm do t’i ofrojë Kosovës një akses më të gjerë në internet, duke mbuluar edhe zonat e largëta dhe të pashërbyera.
Starlink, nëpërmjet teknologjisë së saj satelitore, ka revolucionarizuar shërbimet globale të internetit. Me këtë autorizim, Kosova bashkohet me vendet që shfrytëzojnë teknologjinë më të avancuar në fushën e internetit.
“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës. Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare” thuhet në njoftim.