Flet Dion Gallapeni, 19-vjeçari që fitoi besimin e trajnerit Cavalli dhe u kthye në ‘idhull’ të ri të tifozëve të Prishtinës

Është vetëm 19-vjeçar, por shpirti luftarak që ka treguar në fushë deri më tani këtë sezon me fanellën e Prishtinës, të bën të mendosh se ai ka aftësitë e një lojtari në kulmin e karrierës së tij. Bëhet fjalë për Dion Gallapenin, mbrojtësin e majtë të kryeqytetasve, që ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve prishtinas dhe besimin e trajnerit Jean-Michel Cavalli.

Në 31 paraqitje me fanellën bardhëekaltër, Gallapeni ka bërë katër asistime teksa në ndeshjen e fundit ndaj Malishevës erdhi edhe goli i tij i parë.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjet e mia të mira pasi që njëkohësisht edhe me skuadrën po kemi rezultate të mira. Sa i përket aspektit personal, jam i kënaqur me paraqitjet dhe vazhdimësinë e performancës, pasi që mendoj se kemi ngritje nga viti në vit dhe asistimet e goli janë e gjitha rezultat i punës së madhe me ekipin, besimit të trajnerit tek unë dhe përkrahjes së jashtëzakonshme nga bashkëlojtarët”.

“Shpresoj që të vazhdojmë me rezultate të mira me ekipin pasi që aspekti personal për mua është në plan të dytë”, ka thënë fillimisht Gallapeni për Telegrafin.

Ylli i ri i Prishtinës thotë se përkrahja e pakursyer nga tifozët është një motiv shtesë për të ndërsa shprehet se besimin e trajnerit e ka fituar me punë dhe angazhim.

“Mendoj se besimin e trajnerit e kam fituar me punë, angazhim dhe dëshirë për të dëshmuar se edhe pse i ri në moshë, mund të jem i rëndësishëm për klubin më të madh në Kosovë”.

“Dashuria e tifozëve është një motiv shtesë për mua, pasi më bën të ndihem mirë dhe të kem motiv më të madh që të shpaguaj me gola, asistime sepse ata na kanë qëndruar afër të gjithë ekipit dhe na kanë përkrahur pafundësisht”.

Forma e tij e mirë me Prishtinën, ka bindur përzgjedhësin e Kosovës U21, Afrim Tovërlani që ta ftojë në dy grumbullimet e fundit.

“Ftesa nga Kosova U21 për mua është nderi më i madh që më është bërë deri më tani pasi që të përfaqësojë vendin tim për mua është nder, detyrë dhe obligim. Për fat të keq nuk patëm rezultatet e dëshiruara, por gjithçka tjetër ishte në nivel, nga kujdesi ndaj nesh e deri te kushtet e ofruara”.

Ardhja e trajnerit francez Jean-Michel Cavalli tek Prishtina bëri bujë të madhe dhe Gallapeni thotë se falë eksperiencës që ka ai, nuk ishte aspak e vështirë për të dhe bashkëlojtarët të kuptonin idetë dhe filozofinë e tij të lojës.

“Jean Cavalli është një trajner i dëshmuar dhe idetë dhe filozofia e tij është adaptuar shumë shpejt te ekipi dhe tani po luajmë lojën që kërkon trajneri dhe kjo po reflekton në rezultate pozitive. Komunikimi nuk është aspak pengesë pasi trajneri flet me ne në gjuhën angleze të cilën shumica nga ne e kuptojmë”.

Për fund Gallapeni tha se Prishtina është më se e gatshme ta rikthejë sërish titullin në kryeqytet, duke i dhënë merita edhe kryesisë së klubit për kushtet e ofruara.

“16 pikët e arritura besoj se janë rezultat i ndeshjeve të treguara pasi që kemi pasur performanca të mira. Prishtina është e gatshme ta rikthejë titullin kampion në kryeqytet, kjo gjë nuk diskutohet”.

“Prishtina është simboli i futbollit të Kosovës dhe është gjithmonë pretendente, por unë nuk dua të harroj të përmend se kemi një kryesi shumë të mirë e cila na rri afër për çdo gjë dhe na ofron kushtet më të mira”, përfundoi ai./Telegrafi

Shija e redaktorit

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Novosellës: Rexhep Boja na kujton rilindësit tanë, të cilët i...

Ish i burgosuri politik Selatin Novosella në fjalën e tij në Konferencën shkencore për nderë të figurës së ish-myftiut të Kosovës, Rexhep Bija ka...

Jahjaga: Boja ishte meritor për farkëtimin e idesë së Kosovës...

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ish ambasadori Rexhep Boja ishte udhëheqës i suksesshëm dhe themelues i raporteve ndërshtetërore mes Kosovës...

Të fundit nga rubrika