Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën, e vlerësoi Procesin e Berlinit si një sukses të përbashkët që ka përfshirë angazhimin e Kosovës për 10 vjet. Ai njoftoi se ky proces ka kulmuar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme gjatë Samitit të fundit në Berlin.
Kurti theksoi se në këtë samit u nënshkrua deklarata për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028, si dhe një plan veprimi që do të sjellë 882.6 milionë euro për zhvillimin e Kosovës.
“Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në. Kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi, ndërkohë paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruara poashtu në Berlin më 3 nëntor të vitit 2022 duke ua mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm”, ka thënë Kurti.
“Marrëveshja e re për qasje në arsimim e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, është vazhdimësi e marrëveshjes së njohjes reciproke të diplomave për institucionet e arsimit të lartë. Nënshkruam deklaratën për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028 dhe miratuam planin e ri të veprimit që është shtyllë e planit të rritjes për Ballkanin nga i cili Republika jonë përfiton 882.6 milionë euro”.
Kryeministri njoftoi gjithashtu për vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë.