Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari ka thënë se ulja e kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në tavolinë, mund të quhet arritje.
Por, Jashari thotë se nga ky takim nuk mund të pritet diçka e re.
“Nëse shohim faktin që ka kohë mbi 3 muaj që është munduar të organizohet një takim dhe të ulen bashkë, është arritje ulja e tyre në tavolinë. Pritjet janë që nuk do të ketë përparim, do kemi dy pozicione të njohura të Kosovës dhe Serbisë për qasjen reth temave që do diskutohet. Do të jetë një takim i radhës pa ndonjë rezultat”, deklaroi Jashari në emisionin “FIVE”.
Nis takimi trepalësh në Bruksel
Sipas tij aleatët ndërkombëtar dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian, janë në dijeni që nga ky takim nuk do të ketë ndonjë përparim sa i përket Dialogut.
“Edhe faktori ndërkombëtar edhe ndërmjetësit e BE-së e dijnë që nuk do të ketë përparim, por mendoj që është një presion mbi palët që të mos ketë të paktën tensionime të reja që do ta preknin aspektin e sigurisë, si rezultat i një perceptimi se dialogu është i dështuar dhe nuk ka gjasë për të arritur ndonjë marrëveshje”, tha Jashari.
E takimin trepalësh, Jashari po e cilëson si “takim për ruajtje stabiliteti”.
“Presioni për t’i ulur në tavolinë mendoj që ka efektin më shumë të ruajtjes së një stabiliteti, sesa një aritje të një rezultati të paktën jo në këtë fazë, që jemi në fazën e zgjedhjeve”, tha Jashari.