Në rrugën që mban emrin e një promovuesi të paqes si Bill Clinton në Pejë ndodhi një akt jo paqësor paraditen e së shtunës.
Aty u sulmua fizikisht kryetari komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nga dy persona.
Në momentin kur ka ndodhur rasti, Muhaxheri ishte bashkë me një familjar të tij.
Reagimi i Policisë ishte i menjëhershëm, që çoi në arrestimin e dy të dyshuarve.
Një version të ngjarjes e dha zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, i cili foli edhe për motivet e mundshme të sulmit.
“Në mëngjes është sulmu kryetari duke dal nga kafja ai pinë kafe. I ka përshëndetë dy persona, ata kanë fillu me sha dhe me sulmu dhe normal që ka qenë e papritur sepse nuk i ka njoftë as nuk ka pas diçka. Besojmë meqenëse nuk ka pas diçka personale më herët, besojmë që eshtë në anën profesionale, duke i pa disa fotografi e disa postime, nuk po dojmë me besu që ka lidhje politike prej partive”, ka thënë Faik Zekaj – Zëdhënës i Komunës së Pejës.
E, pak orë pas rastit ishte vet kryetari Muhaxheri tregoi është shëndosh e mirë, duke publikuar një fotografi në rrjete sociale, ku shihet i rrethuar nga miq e familjarë.
Ndaj dy të dyshuarve Prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.
Detaje për këtë dha zëdhënësi i këtij institucioni, Shkodran Nikçi.
“Të njëjtit pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të shtetit. Aktualisht sa jemi duke biseduar, prokuroria e çështjes është duke e përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të pandehur dhe njëkohësisht para gjyqtarit të procedurës paraprake do ta elaburoj këtë kërkesë dhe njëkohësisht do të kërkoj që tu caktohet masa e paraburgimit për shkak të përgjegjësisë së veprës penale që kanë dhe për zhvillimin objektiv te hetimeve”, ka thënë Shkodran Nikçi – Zëdhënës, Prokuroria në Pejë.
Saktësisht motivet e sulmit nuk dihen, por televizioni ka mësuar se kryetari Muhaxheri dyshon që ato mund të ndërlidhen me investimin e mëhershëm të komunës në projektin e një ujësjellësi në fshatin Stankaj të Rugovës, për të cilin investim ka pasur pakënaqësi nga dy të dyshuarit e sulmit të sotëm.
E menjëherë pasi që morën vesh për rastin, për vizitë në Pejë, Muhaxherit i shkuan krerët kryetari i partisë së tij me bashkëpunëtor.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e quajti sulmin akt të ulët, derisa kërkoi që autorët të mbahen përgjegjës nga autoritetet e rendit dhe drejtësisë.