Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur të lirë Bedri Krasniqin nga akuza për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit.
Siç raporton “Betimi për Drejtësi“, vendimi u bë publik këtë të hënë nga gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj, i cili deklaroi se provat materiale dhe dëshmitë personale nuk arritën të vërtetonin se Krasniqi kishte kryer veprën penale të kanosjes, siç ishte akuzuar.
Sipas vendimit të gjykatësit Sadikaj, shpenzimet procedurale do të mbulohen nga buxheti i gjykatës. Po ashtu, pala e pakënaqur ka të drejtën e ankimit brenda 30 ditëve, pas marrjes së vendimit të shkruar.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, as prokurorja e rastit, Ardiana Veseli, dhe as i akuzuari Bedri Krasniqi nuk ishin të pranishëm.
Aktakuza ndaj Krasniqit ishte ngritur më 31 tetor 2019 dhe kishte të bënte me një incident të ndodhur më 18 prill 2019. Sipas aktakuzës, Krasniqi dyshohej se kishte kërcënuar me fjalë Mehmetin me qëllim frikësimi gjatë transportit të tij nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës në drejtim të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.