Dy ditë më parë, Komisioni Qendror për persona të Zhdukur ka njoftuar se Kosova ka pranuar pjesë të teknologjisë LiDAR dhe GPR’ në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur nga shteti i Zvicrrës.
E për këtë, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar i të Zhdukurve ka njoftuar se aktualisht janë konsultuar të paktën gjashtë lokacione janë vlerësuar deri më tani për të qenë pjesë e agjendës në kryerjen e gërmimeve javëve në vijim.
“Ndërkohë, si Komision në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutin e Mjekësisë së Ligjore, kemi propozuar një listë të lokacioneve, në përputhje me kriteret e potencuar apo sugjeruara nga ana e ekspertëve të Lozanës, për përdorim të teknologjisë LiDAR në në kombinim edhe me atë të metodës së eksplorimit gjeofizik me anë të radarit depërtues në tokë (GPR). Janë të paktën 6 (gjashtë) lokacione të vlerësuara, të cilat varësisht nga rezultati i këtij vlerësimi por edhe të dhënave tjera plotësuese mund të jenë pjesë e agjendës në kuptim të kryerjes së gërmimeve vlerësuese gjatë javëve në vijim”, ka thënë Gara.
Gara ka theksuar se “fillimisht duhet theksuar një fakt shumë të rëndësishëm, që përdorimi i teknologjisë së avancuar si LiDAR ka qenë një nga kërkesat apo prioritetet e Qeverisë që ndërlidhet edhe me faktin që çështja e personave të zhdukur vazhdon të jetë çështje prioritare, aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë”.
Ai shtoi se përdorimi i ‘LiDAR ‘dhe teknologjisë së avancuar është edhe një nga zotimet e adresuara edhe në kuadër të Deklaratës për Persona të Zhdukur, të datës 2 maj 2023, në kuadër të ‘Dialogut në Bruksel’.
“Përdorimi i teknologjisë së avancuar LiDAR dhe GPR , përkatësisht Radarit Depërtues Tokësor, gjatë javës së kaluar, është mirëpritur nga Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur duke vlerësuar si një mundësi dhe kontribut në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës, duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat përballet ky proces , e para se gjithash me mungesën e informacioneve që do të duhej të ndaheshin nga institucionet e Serbisë pra nga arkivat e tyre”, tha Gara..