Bllokohen rrugët në Shqipëri gjatë protestës së opozitës

Deputetë dhe mbështetës të partive opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, kanë protestuar të martën, duke bllokuar gjashtë prej kryqëzimeve kryesore në disa qytete të vendit për gati tri orë.

Një ndër kryqëzimet ku u bllokua qarkullimi i automjeteve ishte dhe ai ku është arrestuar ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, më 21 tetor.

Përmes aksionit të mosbindjes civile, të shpallur nga opozita para një muaji, kërkohet që një Qeveri teknike të çojë vendin në zgjedhje, por edhe lirimi i Sali Berishës, i cili mbahet në arrest shtëpiak nën dyshimet për korrupsion.

Bllokimi i kryqëzimit kryesor në hyrje të Tiranës u shoqërua edhe me përplasje fizike, pasi deputetë demokratë dhe protestues shtynë zyrtarë të policisë, me pretendimin se po provokoheshin prej tyre, për shkak të pranisë së lartë të zyrtarëve policorë.

Policia u kujtoi protestuesve se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale. Policia i orientoi drejtuesit e automjeteve të lëviznin në rrugë alternative.

Protestuesit u vunë flakën disa gomave të makinave në Tiranë, Elbasan, Durrës, Milot dhe Fier. Në secilin prej gjashtë kryqëzimeve ishin të pranishëm deputetë të Partisë Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha pas tre orësh protestë se ‘nuk ka kthim pas’.

“Rezistenca jonë do të vijojë, mosbindja civile do të sjellë zgjidhje për vendin. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje”, tha Noka.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, që drejtohet nga Ilir Meta, tha se ish-presidenti u rrëmbye, si dhe sulmoi prokurorët duke i quajtur ‘mercenarë e vrasës me pagesë të opozitarizmit.’

Përfaqësues të të dyja partive në opozitë pretendojnë se hetimet ndaj Berishës dhe Metës nuk lidhen me afera korruptive, por me “skenarë për të goditur opozitën para zgjedhjeve të vitit 2025”.

Aksioni i opozitës ka nisur që pas arrestimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji dhe dënimit të tij me një vit burg për “kallëzim të rremë”, në fund të shtatorit.

Kjo u pasua me djegien e ulëseve të deputetëve demokratë para Kuvendit si dhe me përplasje fizike mes deputetëve dhe pjesëtarëve të Gardës, që garantojnë sigurinë në Kuvend.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë më 30 shtator në Kuvendin e Shqipërisë, dhe i kanë bërë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika