Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë qëndrimin e tij, pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, për energjinë.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së, ka thënë se udhërrëfyesi i nënshkruar sot përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015, të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetëror në gjithë territorin e vet.
Por sipas tij, kryeministri aktual, Albin Kurti, në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vetë ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.
Ai ka thënë se LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë, marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit, kanë arritur të nënshkruajnë të martën marrëveshjen për energjinë, e cila parasheh faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, marrëveshjen për energji në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur të martën e 21 qershorit, e ka cilësuar si hap konkret drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’ia uruar arritjen e marrëveshjes.
“Fola me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtin për t’i uruar ata për arritjen e një marrëveshjeje mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai në Twitter.
Në shtator të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës.
Në atë kohë, kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi, kurse kryeministër i Serbisë, Ivica Daçiq, të cilët edhe ishin nënshkruesit e kësaj ujdie.
Marrëveshja parasheh që pos Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.
Ndonëse e konfirmuar në gusht të vitit 2015, e njëjta marrëveshje nuk është zbatuar asnjëherë.
Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e kompanisë serbe për energji në veri të Kosovës – Elektrokosmet, duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose t’iu ofrohet punësim në KEDS.
Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.