Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se familja në vitet më të rënda për popullin tonë ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha.
Osmani këto deklarata i ka bërë në Konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes që po mbahet në Doha të Katarit, ku ka marr pjesë me ftesën e Lartmadhërisë së Saj Sheikha Moza bint Nasser.
Osmani përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?”, kanë diskutuar se si ndryshimet demografike po i formësojnë politikat familjare.
“Konferenca e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes po mbahet në Doha, Katar dhe kam nderin të marr pjesë me ftesën e Lartmadhërisë së Saj Sheikha Moza bint Nasser. Në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?”, diskutuam se si ndryshimet demografike po i formësojnë politikat familjare dhe fola për politikat tona që fuqizojnë familjet e reja dhe gratë. Në vitet më të rënda për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha. Edhe sot, familja mbetet një ndër shtyllat më të forta prapa çdo suksesi individual e kolektiv dhe bazament për politika të suksesshme sociale dhe ekonomike”, ka shkruar Osmani.