Haxhiu akuzon Prokurorinë Speciale: Mbylli hetimet për pronën në “Veternik” me një dokument të falsifikuar nga Beogradi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur shqetësime për rastin e një prone në Veternik duke theksuar se hetimet janë mbyllur nga Prokuroria Speciale mbi baza të dyshimta dhe me dokumente të falsifikuara nga Serbia.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me mënyrën e trajtimit të rastit të një prone milionëshe në lagjen “Veternik” të Prishtinës, ku sipas saj, dokumentet e falsifikuara nga Beogradi dyshohet të kenë ndikuar në mbylljen e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Haxhiu deklaroi se ky rast është një shembull i qartë i “drejtësisë së kapur” dhe i dobësisë institucionale në mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës. Sipas ministres, prona në Veternik iu mor qytetarit në mënyrë të falsifikuar dhe, për të njëjtën pronë, rasti është mbyllur në dëm të tij bazuar në një zarf që, sipas raportimeve, përmban dokumente të falsifikuara nga Serbia.

“Rasti me tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi, me të cilin dokument, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtetë shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës.

Pra, në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit.

Që moti si subjekt politik në Kuvend kemi folur për drejtësinë e kapur dhe nevojën për vetting si të vetmen mundësi për të dalë nga ky qark i mbyllur.

Që prej marrjes së mandatit pa rreshtur kemi punuar në përgatitjen e dokumenteve që do të fillonin procesin e vettingut, prej të cilit proces do të pastrohej vet sistemi i drejtësisë e do të rikthehej kredibiliteti e besueshmëria në këtë pushtet mjaft të rëndësishëm për Republikën.

Mirëpo ka pasur një siklet dhe rezistencë nga qarqe të ndryshme, sa në politikë sa në drejtësi ndaj këtij procesi, ndërkaq kemi parë për këto 4 vite qeverisje se si qindra lëndë janë dorëzuar vetëm nga kabineti qeveritar me afera nga kohët e kaluara për të cilat në asnjë rast të vetëm nuk kemi parë të jetë ndërmarrë diçka nga ana e Prokurorisë Speciale”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka shtuar se për rastin e pronës në Prishtinë ka pasur fillimisht ndjekje penale ndaj disa personave, por punimet në pronë kanë vazhduar edhe pas dërgimit të çështjes në gjykatë. Sipas saj, familja ka paraqitur prova që tregojnë lidhjet e të përfshirëve në këtë rast me familjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Ministria e Drejtësisë ka dërguar letër zyrtare në institucionet serbe për të konfirmuar të vërtetën, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Në anën tjetër, kemi parë që ndaj qeverisë, ministrave e zyrtarëve të subjektit prej nga jemi, ka pasur reagime e impulse nga ana e kësaj Prokurorie, madje edhe për statuse facebook-u se lëre më diçka më shumë.

Mirëpo, sa i përket rastit të tokës në Prishtinë e cila, siç pretendohet, i është marrë familjes përmes falsifikimit të dokumeteve fillimisht ka pasur ndjekje penale për disa persona.

Por, çështja ka vazhduar edhe më tutje, kur aty kanë vazhduar punimet, pavarësisht rastit në Gjykatë. Familja ka prezentuar disa fakte të lidhjes së vet të arrestuarëve e përndjekurëve në këtë rast me vet familjen e Kryeprokurorit aktual të Speciales.

Në vazhdën e zbardhjes së këtij rasti, si ministri e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave tona ligjore, kemi dërguar letër në organet kompetente në Serbi për të marrë përgjigje në lidhje me të vërtetën e pronës. Por, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje siç nuk marrim kurrë nga ta për shkak të problemeve politike.

E, javën e kaluar në media u publikua se rasti është mbyllur për këtë çështje nga Prorkuroria Speciale pas një zarfi që kinse paska ardhur nga Serbia në Kosovë, ku jepet përgjigja për të vërtetën e provës.

Ndërkaq, mbrëmë siç u raportua, u mohuan se nga institucionet atje është dërguar kjo letër, çka e bën edhe më inkriminuese situatën ku nxit dyshime se është përfshirë vet Prokuroria Speciale”, ka shtuar Haxhiu.

Haxhi më tej ka shtuar se Danilo Radunoviq, drejtuesi i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan të Gjeodezisë në Serbi, ka mohuar çdo lidhje me këtë dokument, duke ngritur, sipas saj, dyshime të mëtejshme për përfshirjen e vetë Prokurorisë Speciale në mbylljen e rastit.

“Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë, thuhet në publikimin e djeshëm.

Si ministre e drejtësisë, jam vërtetë e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucional të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vet prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara.

Autoriteti përgjegjës me urgjencë duhet të hetojë mbylljen e dyshimtë të këtij rasti nga Prokuroria Speciale përmes dokumenteve të falsifikuara dhe të trajtojë po ashtu shqetësimet e faktuara të familjes së dëmtuar për lidhjet në këtë rast të vet prokurorëve special të Kosovës me vet pronën konkrete.

Drejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi. Kur i pushtetshmi lidhet me krimin aty krimi bëhet i organizuar dhe institucional. Aty bie edhe drejtësia, demokracia e republika. Dhe kjo nuk duhet të tolerohet”, ka përfunduar Haxhiu.

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika