Dy burra të cilët po transportonin dru janë përballur me një sulm të armatosur në mesditën e së mërkurës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas raportit të Policisë, në drejtim të tyre kanë shtënë dy persona të panjohur, të maskuar dhe të veshur me uniforma ushtarake.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka sekuestruar shtatë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.
Ndërsa, nuk raportohet për të lënduar, autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe motivet e mundshme të këtij sulmi.
“Rahovec 30.10.2024 – 13:30. Dy meshkuj kosovarë, kanë njoftuar se derisa ishin duke bartur dru, në drejtim të tyre kanë shtënë me armë dy persona të panjohur, të maskuar dhe të veshur me uniforma ushtarake. Njësitë policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes ku janë gjetur dhe sekuestruar 7 gëzhoja të kalibrit 7.62mm. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rasti nga Policia është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.