Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian brenda vitit 2027 mund të arrihet nëse vendi “përvesh mëngët”.
“Plani për anëtarësim në fund të vitit 2027 është ambicioz, por mund të arrihet nëse punoni. Shqipëria mund t’ia dalë t’i çelë të gjithë kapitujt deri në fund të 2025-s”, tha Gonzato teksa i dorëzoi sot kryeministrit Edi Rama progres-raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024.
Megjithatë, ai tha se klima politike në vend po pengon ecurinë në drejtimin e duhur.
“Sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionin e institucioneve si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të polaritetit politik”, tha Gonzato.
Në anën tjetër, Kryeministri Rama vlerësoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë si “dokumentin më të mirë ndërkombëtar për Shqipërinë”, që sipas tij pasqyron realisht ku ndodhet vendi ynë.
“Është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi, fjali për fjali, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve anëtare”, ka thënë Rama.
“Më vjen shumë mirë që marrim raportin më pozitiv të të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë, sepse e tillë është dhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi këtë”, shtoi Rama trnasmeton Top Chanel përcjell Dukagjini.
Puna e shkëlqyer e SPAK ka dhënë rezultate
Raport thekson nevojën për të miratuar hartën gjyqësore. Korrupsioni shqetësim serioz.
Puna e shkëlqyer nga SPAK ka dhënë rezultate konkrete. Është bërë progres në luftën kundër korrupsionit falë SPAK, hetime financiare dhe forcimin e luftës kundër pastrimit të parave.