Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, u kritikua nga deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të Kuvendit për vonesat në ndërtimin e rrugëve magjistrale në disa qytete dhe për mosrealizimin e projekteve që ai vet i kishte premtuar.
Aliu ka theksuar se shumica e projekteve rrugore po përparojnë në mënyrë të rregullt, megjithatë pranoi se ka pasur vështirësi të trashëguara nga e kaluara.
“Rruga e Gjilanit është një nga projektet me vështirësi më të mëdha. Ndërsa për rrugën e Pejës, ndërtimi që ishte parashikuar të kushtonte 40 milionë euro, aktualisht ka shkuar në 90 milionë euro”, ka theksuar ai.
Ministri gjithashtu përmendi progresin në rrugën e Podujevës, ku tenderi është hapur nga Bardhoshi deri në Lluzhanë, dhe shprehu optimizëm për asfaltimin e katër shiritave të rrugës.
Ndërsa, rrugën e Mitrovicës e ka vlerësuar si një nga më problematiket, duke theksuar se pjesa deri në Vushtrri është afër përfundimit dhe punët po vazhdojnë në ndërtimin e urave dhe kalimeve të ndryshme.
“Të rruga e Mitrovicës është një ndër rrugët më problematike që kemi pasur, nga 2018 është vetëm ky segmenti fundit që është zvarritur vazhdimisht. Pjesa e rrugës deri në Vushtrri është para përfundimit, po përfundohet mjaftë mirë dhe mjaftë shpejtë. Po vazhdojnë punët në ndërtimin e urave dhe kalimeve të ndryshme dhe po në trendin e vet”, ka deklaruar ministri Aliu.