Dëshmitari Nuredin Ibishi deklaroi të enjten në Hagë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë periudhës së luftës.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Christoph Barthe, dëshmitari tha se më vonë e ka kuptuar se ai ka qenë shef i Inspektoratit, raporton “Betimi për Drejtësi” përcjell Dukagjini.
“Unë në kohën.. nuk e kam ditur. Më vonë e kam kuptu. Shumë vonë”, tha Ibishi.
Ai u pyet se çfarë roli ka menduar se e kishte Rexhep Selimi kur ai e ka takuar në gusht të ’98-ës.
“S’kam pas kurrfarë njohurie përveç Jakup Krasniqit dhe normal Bislim Zyrapit që ka qenë në atë aspektin si përfaqësues të them ashtu shef Shtabi për aspekte ushtarake. Po i referohna takimit të dytë, i referohem më shumë Bislim Zyrapit e jo të gushtit”, tha Ibishi.
Dëshmitari gjithashtu tha se edhe gjatë takimeve që i kanë realizuar, në dy raste, nuk e di nëse Selimi ishte shef i Inspektoratit.
“Më vonë e kam kuptuar se ai mund të ketë qenë, por kjo është më vonë se ai ka qenë shef i Inspeksionit. Mirëpo, tash nuk e di se a ka vlejt ajo në kohën e takimit tonë të parë apo të dytit. Mirëpo, më vonë e kam kuptu dhe nuk mund ta bie vetën në siklet se a e di saktësisht se a ka qenë ai i emëruar si shef i Inspeksionit në ’98-ën apo ka mundur të ndodhë edhe muajë apo kohë më vonë. Nuk mund t’i referohem saktësisht. Më vonë kam mësu se ka qenë shef i Inspeksionit, por pa iu referuar kohës”, tha Ibishi.
Dëshmitari foli për një takim të Shtabit të Përgjithshëm në zonën Operative të Llapit, duke shtuar se vetëm Jakup Krasniqin e njihte për shkak të paraqitjeve të tij mediatike si zëdhënës i UÇK-së.
Ndërsa, për Selimin, Thaçin dhe të tjerët tha se ka menduar që janë nga Shtabi meqë para takimit ishin njoftuar se ky takim do të ndodhte me anëtarët e Shtabit.
“Nga ata e njifsha vetëm zotin Krasniqi, për atë po them. Na kanë thënë që janë të Shtabit të Përgjithshëm, por unë kam prezumu që përveç Krasniqit edhe të tjerët mund të jenë nga Shtabi”, tha Ibishi.
Pyetje për dëshmitarin pati edhe prokurorja Silvia D’Ascoli pas pyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.
Ibishi tha se kontakti i vetëm me Shtabin e Përgjithshëm ishte nëpërmjet Komandantit të Zonës Operative.
Dëshmitari Haxhi Mazreku: Nezir Mazreku mbronte fshatin, s’ishte bashkëpunëtor me pushtetin serb
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Haxhi Mazreku tha se kushëriri i tij, Nezir Mazreku e mbronte fshatin dhe nuk ishte bashkëpunëtor me pushtetin serb.
Këtë deklarim, ai e bëri u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guenawl Mettraux, para përfundimit të dëshminsë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Është kushëri i imi (Nezir Mazreku) dhe ka qenë kryetar i socialistes, domethënë në Opterushë ka shërby si kryetar. Ka punu punën e vet, e ka punu punë bujqësie. Kryetar ka qenë. Ka këqyr me çdo kusht me e mbrojtë fshatin. Bile për këtë person shumë kam rreziku unë veten se dojshin për me e marrë, por iu thash nëse këta e merrni, duhet me më hek mu tani këta me marrë se përndryshe nuk lëshoj pe. Kështu ka qenë. E di fshati, e dinë të gjithë. Veç pse ka qenë kryetar i socialistes domethënë në atë kohë”, tha Mazreku, kur iu prezantua një dokument ku thoshte se personat që do të duhet të merren në pyetje janë dëshmitari dhe Nezir Mazreku.
Dëshmitari, tutje u pyet se kush dëshironte ta merrte Nezir Mazrekun dhe ai u përgjigj duke thënë se personat që kinse iu bashkuan UÇK-së.
“Po këta që iu bashkëngjitën gjoja UÇK-së, domethënë këta persona. Po krejt problemi që ka qenë prej fshati, fshatarët e tanë domethënë se ky demek kryetar i socialistes e me kqyr me e marrë këta se gjoja bashkëpunëtor. S’ka të bëjë me bashkëpunëtor, absolutisht. E ka mbajtë me mish e me shpirt fshatin, komplet komunitetin shqiptar e serb. Por, këtu ka qenë njëfarë propagande, njëfarë kërcënimi edhe unë u mundosha me grupin tim që mos me ardhë deri tek konflikti, deri tek gjakderdhja e më kapën në sy të keq edhe mu. Kjo është e vërteta”, tha Mazreku.
Dëshmitari tha se e quan “konflikt” luftën dhe sipas tij para konfliktit kishte shumë probleme në fshat. Ai tha se Nezir Mazreku ishte ai që u mundonte ta stabilizonte situatën, ndërsa gjatë konfliktit, dëshmitari tha se vetë e kishte marrë përsipër këtë mision.
“Na si UÇK, kemi qenë kundër regjimit serb, uniformës serbe dhe jo kundër civilëve”, tha Mazreku.
Haxhi Mazreku tha se kushëririt të tij ia morën armën disa persona nga Samadrexha.
Në fillim të seancës, pasi mbrojtja e Selimit nuk pati pyetje, kundërpyetjet i filloi avokati i Krasniqit, Aiden Ellis.
Dëshmitari pohoi se ai nuk i ndiqte komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.
Me kaq përfunduan pyetjet për këtë dëshmitar nga ana e Ellis, ndërsa pyetje shtesë nuk pati Prokuroria.
Meqë, dëshmia e këtij dëshmitari përfundoi, seanca kaloi në sesion privat për t’u kthyer sërish për dëshmitarin tjetër.
Ndryshe, në këtë seancë të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Hashim Thaçit, i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.